Njëri nga Shkupi e tjetri nga Tetova. Njëri mbrojtësi më i mirë i Superligës dhe tjetri nga më të mirët e kampionatit dhe me një karrierë për tu pasur zili. Njëri pjesë e Vllaznisë dhe tjetri e Dinamos.
Po flasim për Mevlan Adilin dhe Agim Ibraimin. Dyshja shqiptare nga Maqedonia e Veriut janë ndër futbollistët më të dalluar të dalluar të kampionatit dhe nesër do jenë kundër njëri-tjetrit.
Të dy liderë të skuadrave përkatëse dhe pjesë e rëndësishme të formacioneve të shkodranëve dhe dinamovitëve. Një përballje edhe miqsh kjo që do jetë nesër në “Elbasan Arena”. Të dy futbollistët njihen për raportet e mira miqësore jashtë futbollit. Në të shkuarën kanë qenë edhe pjesë e Shkëndijës së Tetovës, pavarësisht se në periudha të ndryshme.
Në njërin krah grinta dhe karakteri luftarak i Adilit e në krahun tjetër teknika dhe klasi i Ibraimit. Dy lojtarë që adhurohen nga tifozeritë përkatëse dhe që nesër do jetë një nga duelet më të bukura për tu parë në fushën e lojës.
Patjetër si lojtari i Vllaznisë ashtu edhe kapiteni i Dinamos do jenë për 90 minuta “armiq” në fushën e lojës. Përballja pritet të jetë e fortë dhe patjetër që duelet si Adili-Ibraimi në këtë 90 minutësh e shtojnë bukurinë e një përballjeje që mbetet “klasike” e futbollit shqiptar.