Dështimi në kampionat dhe kupë në vitin që po lëmë pas, i ka bërë drejtuesit e ekipit të boksit të Vllaznisë t’i mendojnë gjërat më ndryshe për vitin e ardhshëm. Për këtë arsye, ata kanë menduar të bëjnë një riorganizim total të punës me të gjitha ekipet dhe kuptohet që për këtë, duhen më shumë lekë. Prandaj dhe kanë menduar që një kërkesë t’ia paraqesin Bashkisë Shkodër nëpërmjet një grupi këshilltarësh. Ka qenë këshillari Mustafa Lici, ai që në mbledhjen e para pak ditëve, e ngriti këtë problem dhe kuptohet duke u ndalur tek milionat që merr futbolli, u shpreh se edhe për boksin duhet një vëmendje më e madhe sepse janë 20 herë kampionë të Shqipërisë. Sipas këtij këshilltari, për Bashkinë nuk është asnjë problem që të plotësohet kërkesa e bërë për t’ia shtuar fondin këtij sporti nga 24 milionë që e ka aktualisht, në 44 milionë për vitin 2017. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë nëse do realizohet sepse edhe sportet e tjera kanë kërkesa për financa më të larta dhe kuptohet që institucioni i pushtetit lokal nuk i ka këto fonde.

© shkodrasport.com