Të premten më 30 dhjetor do të zhvillohet mbledhja e fundit për vitin 2016 e Këshillit Bashkiak Shkodër. Dhe një ndër pikat e kësaj mbledhje është edhe zhvillimi i ceremonisë së shpalljes së “10 sportistëve më të mirë të vitit 2016” të Sportklub Vllaznia. Drejtuesit e tij kanë organizuar një anketë me të gjithë trajnerët dhe specialistët e sporteve të ndryshme të cilët kanë dalë në një përfundim: atë të përzgjedhjes së më të mirëve.Emrat e tyre sigurisht që nuk janë bërë publikë por kjo dilemë do të zgjasë edhe për pesë ditë. Shpallja e sportistëve më të mirë në mbledhjen e fundit të vitit të Këshillit Bashkiak, tashmë po kthehet në një traditë për Sportklub Vllaznia sepse është viti i tretë që organizohet në të njëjtën mënyrë. Arsyeja është e thjeshtë: Janë këshilltarët bashkiakë ata që miratojnë në fillim të çdo viti fondet për këto sporte por shumica e këshilltarëve me shumë mundësi nuk e dinë kush janë kampionët dhe rekordmenët që kanë nderuar klubin dhe Shkodrën në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo ceremoni në njëfarë mënyrë është edhe një shenjë falenderimi për mbështetjen që Bashkia u ka dhënë por edhe për t’i thënë se duam më shumë vëmendje.
© shkodrasport.com