Lajme të mira dëgjohen për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Pas marrjes së Hamatit nga Kamza Basket, drejtuesit e shoqatës me në krye presidentin Sokol Dibra, kanë ndër mend të sjellin në skuadër edhe 3-4 lojtarë të tjerë në mënyrë që ta forcojnë siç duhet atë. Burime pranë kësaj skuadre bëjnë të ditur se ideja është që në Shkodër të vijnë sërish basketbollistë amerikanë. Numri i tyre do të jetë dy ose tre megjithatë kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

Përveç tyre, pritet edhe një tjetër lojtar, por këtë herë nga kampionati shqiptar. Të gjitha këto lëvizje mendohet të bëhen në janar, në prag të nisjes së fazës të dytë të kampionatit. Por më parë se të ndodhin këto, pritet një takim në mes drejtuesve të shoqatës së basketbollit dhe kryebashkiakes Ademi. Këtë e ka bërë të ditur pak ditë më parë në emisionin “Sport Arena” zëvendëstrajneri Fatjon Hallunaj. Sipas tij, ky takim do të vendosë shumë gjëra. Projekti i drejtuesve të shoqatës është gati por pritet vetëm “rregullimi” i marëdhënieve me drejtuesit e Bashkisë. Pikërisht prej këtij takimi varen shumë gjëra megjithatë me shumë të ngjarë, Vllaznia e basketbollit në janar do të jetë ndryshe. Dhe s’ka si të mos ndodhë kështu përderisa ky ekip është tre vjet rresht kampion dhe këta drejtues dhe ky staf, ka treguar edhe më parë si dominohet në kampionat dhe këtë gjë do të tentojnë ta bëjnë sërish.

© shkodrasport.com