Para 2-3 sezonesh ka qenë një nga emrat e spikatur jo vetëm të Vllaznisë por edhe të kampionatit shqiptar. Loja, golat dhe paraqitjet e mira me kuqeblutë, e bënë atë të ishte herëpashere edhe objekt i merkatos së shumë ekipeve. Por karriera e tij çuditërisht mori për keq. Bëhet fjalë për Arsen Hajdarin. Aktualisht është pa ekip. Sezonin e kaluar ishte pjesë e Besëlidhjes dhe më pas, pati një tentativë për të kaluar në futbollin italian këtë sezon por mungesa e lejes së qëndrimit, ia ka bërë të pamundur këtë gjë. Për këtë arsye, 27 vjeçari është në kërkim të një skuadre tjetër për vazhdimin e karrierës. Kjo periudhë pa aktivizim (stërvitje në fakt ka bërë rregullisht) sigurisht që ka patur ndikimin e vet megjithatë, ai mund t’ia dalë të rikthehet sërish në formën e mëparshme sepse e favorizon edhe mosha e tij. Hajdari me siguri që në merkaton e janarit ka për të qenë objektivi i shumë skuadrave të Superligës shqiptare sepse loja e tij është e pëlqyeshme për shumë prej trajnerëve. Ndodh pra edhe kështu. Një lojtar me të tilla cilësi, të kërkojë ekip kur në fakt duhej të ishte e kundërta. Kjo ndoshta hyn në ato që konsiderohen si mungesë fati.

© shkodrasport.com