Pavarësisht largimit të 4 kampionëve për arsye financiare, ekipi i xhudos së Vllaznisë ia ka dalë të bëjë një paraqitje të mirë në garat e kampionatit kombëtar për të rritur. Si rrjedhojë dy sportistë të tij janë shpallur kampionë për vitin 2026 dhe dy të tjerë kanë dalë të dytët duke u shpallur nënkampion.
Kampionati kombëtar për të rritur dhe kadetë është zhvilluar ditën e sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe në të kanë marrë pjesë sportistët më të mirë të të gjithë ekipeve të vendit, mes të cilëve edhe ato të Vllaznisë.
Suksesin më të madh ekipi shkodran e ka patur me femrat teksa dy prej tyre janë shpallur kampione të Shqipërisë për vitin 2026 dhe pikërisht Elisa Simoni kampione në peshën -48 kg dhe Validia Aliaj në peshën -78 kg.
Ndërkohë tek meshkujt dy sportistë, pikërisht Roland Vasija dhe Nikoll Gjoka janë renditur të dytët në peshat 60 dhe 73 kg duke u shpallurr nënkampionë të vendit. Për t’u përmendur është fakti që Vasija rikthehet të garojë pas disa vitesh shkëputje ndërsa Gjoka vjen nga Franca dhe ka dhënë kontributin e tij për ekipin e Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



