Ndëshkimi me karton të kuq i Neymar ndaj Strasbourg ka ngritur dyshime rreth sulmuesit brazilian të PSG-së. 30-vjeçari besohet se e detyroi kryesorin për t’i dhënë dy kartona të verdhë brenda pak minutash, për të fituar kështu biletën për t’u rikthyer në Brazil.
Neymar do të jetë i pezulluar për sfidën e 1 janarit ndaj Lens dhe kjo gjithçka e bërë me plan prej atij. Ish-sulmuesi i Barcelonës dyshohet se e mori kartonin e kuq për të udhëtuar drejt Brazilit dhe për të festuar festat e fundvitit me familjarët e tij.
Neymar po luante shumë mirë deri në ato momente, teksa më pas u ndëshkua me karton të kuq për herë të pestë si lojtar i PSG-së. Kampionët Francezë do të vuajnë mungesa të shumta në duelin e parë të vitit 2023. Përveç Neymar ndaj Lens do të mungojë edhe ylli tjetër i skuadrës, Lionel Messi.
Argjentinasi nuk është rikthyer ende me skuadrën pas suksesit në Kupën e Botës në Katar, një mënyrë për të shpërblyer kështu paraqitjen e 34-vjeçarit në vitin kalendarik 2022. Messi pritet të bashkohet me grupin më 2 ose 3 janar dhe mund të kthehet në aksion të premten, në duelin e Kupës së Francës kundër modestëve të Chateauroux.