Një dyshe lojtarësh të talentuar ka rezultuar shumë e suksesshme dhe ka vendosur fatet e takimit të luajtur mesditën e sotme në mes AAS U19 dhe Akademisë së Futbollit.

Eslit Sala dhe Mehdi Çoba kanë shënuar secili nga dy gola në këtë ndeshje duke i dhënë fitoren ekipit të tyre. Ka qenë Çoba ai që ka zhbllokuar rezultatin në ’14 dhe pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol.

Në fillimin e së dytës do të barazonin miqtë me anë të Hajderajt por kjo ka zgjatur vetëm tetë minuta sepse në ’55 Sala ka shënuar golin e dytë për AAS duke e kaluar atë sërish në avantazh.

Përsëri miqtë barazojnë me golin e Ballgjinit por shkodranët nuk heqin dorë nga fitorja. Çoba shënon golin e tretë në ’72 por gëzimi i tyre zgjat 60 sekonda sepse Guni barazon në 3-3.

Një ndeshje dramatike por për ta zgjidhur atë përfundimisht do mendonte Sala në ’80 kur shënon golin e katërt dhe të fundit të ndeshjes.

Përfundimisht 4-3 për AAS U19 që me këtë trepikësh ngjitet në kuotën e 14 pikëve duke qenë vetëm një pikë larg Partizanit dhe dy pikë larg Tiranës në mesin e tabelës së renditjes.
© shkodrasport.com