Mbrojtësi i Kombëtares, Arlind Ajeti do të vijojë karrierën te rumunët e Kluzhit. Lajmi konfirmohet nga mediat italiane, teksa bëhet me dije se marrëveshja është arritur dhe pritet vetëm nënshkrimi i kontratës.

Për Ajetin pati interesim edhe nga skuadra e Tiranës, por mbrojtësi zgjodhi elitën e futbollit rumun, teksa te Kluzhi i Andrea Mandorlinit, do të gjejë edhe shqiptarin e Kosovës, Ermal Krasniqi.

Ajeti në këtë sezon ishte pjesë e Pordenones në Serinë C italiane, ku u aktivizua 33 ndeshje dhe shënoi 6 gola.

Për shkak të problemeve financiare, Pordenone rrezikon ekzistencën në sezonin e ardhshëm, ndaj edhe mbrojtësit 29-vjeçar shqiptar iu desh të largohej, teksa do të nisë një aventurë të re në Rumani.

Gjatë karrierës së tij, Arlind Ajeti është aktivizuar me skuadra të rëndësishme në futbollin Europian, si Bazel, Frosinone, Torino, Krotone, etj.