Silvinjo do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij. Braziliani ka misionin e madh për të kualifikuar Shqipërinë në Euro 2024.

E nëse klubet dhe kampionatet në të cilat luajnë lojtarët shqiptarë japin shpresë për një epokë të rëndësishme për Kombëtaren, një problem i madh duket në horizont për Silvinjon.

Kur na ndan edhe afërsisht një muaj nga ndeshja e parë zyrtare e Shqipërisë, ajo kundër Polonisë, porta e Kombëtares ktheher në një çështje.

Berisha dhe Strakosha kanë kaluar sezonin në stol, teksa të dy në tërësi numërojnë vetëm 180 minuta lojë. Berisha nuk ka qenë për asnjë moment pjesë e planeve të Juriçit te Torino këtë sezon, duke mos u aktivizuar për asnjë takim me skuadrën.

Një situatë që duket se nuk do të ndryshojë, pasi sipas raportimeve të mediave italiane, mes trajnerit dhe portierit shqiptar ka pasur një konflikt së fundmi.

Më e shpresëdhënëse nuk duket as situata e Strakoshës. Ky i fundit ka luajtur vetëm 180 minuta me Brentfordin, ku të dyja kanë qenë të vlefshme për kompeticionet e kupës angleze. Madje paraqitjet e tij nuk kanë kaluar as pa kritika. Ndërkohë, e vetmja zgjidhje vjen nga Seria B, ku Elhan Kastrati po luan titullar vazhdimisht me Çitadelën.