Çudirat nuk kanë të sosur te Vllaznia e volejbollit të femrave. Pas largimit të disa volejbollisteve shkodrane, në ndeshjen e djeshme në kryeqytet ndaj Partizanit, ajo që binte në sy ishte zgjedhja e kapitenes së skuadrës së Vllaznisë. Shiritin e mbante bjellorusja Dayra Auramchyk, teksa pjesa tjetër e volejbollisteve shkodrane, që ishin në lojë, ishin snobuar.

Pikërisht, ndoshta një prej tyre edhe Mandisa Kuçi, e cila edhe pse në moshë të re, por që ka kohë te kuqeblutë, nuk ishte e preferuar nga trajneri Besnik Lisha për të qenë “komandante e skuadrës”. Justifikimet nuk pinë ujë këtë herë, sepse politika e klubit duhet të jetë mbi drejtësinë dhe vjetërsinë në ekip.

Si mundet që një volejbolliste, sado e mirë, e cila ka vetëm një muaj në ekip, të mbajë shiritin e kapitenes në një skuadër historike si Vllaznia? Si mundet që të snobohet Kuçi kryesisht, por edhe ndonjë tjetër për shiritin e kapitenes së Vllaznisë? Për më tepër që në fushë, kishte volejbolliste “prodhim të makinerisë kuqeblu”.

Mund të pranohet çdo lloj vendimi, madje edhe ai i lënies së volejbollisteve shkodrane në stol, por kurrë që shiriti t’i jepet një volejbollisteje tjetër, që edhe pse mund të jetë më e mira në rolin e saj, akoma nuk ka mbushur jo një sezon, por as një muaj të plotë tek kuqeblutë. Asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë e Vllaznisë, në asnjë lloj sporti, që një lojtar apo lojtare sado e mirë, që ka vetëm një muaj në skuadër, të jetë kapiten ose kapitene e ekipit..
Maringlen ZHIVANI