E ardhmja e Elseid Hysajt do të jetë në dorën e Xhenaro Gatuzos, ashtu siç ka qenë më parë e Samir Ujkanit, Edgar Çanit apo Rei Manajt në eksperiencat e mëparshme të trajnerit. Por këtë herë do të jetë më ndryshe, pasi do të vendosë nëse futbollisti mund të largohet që në janar, apo në qershor kur i përfundon kontrata me Napolin.
Këtë e ka konfirmuar menaxheri i lojtarit, Mario Xhiufredi, i cili ka deklaruar se nëse Hysaj gjente përsëri hapësirat që meritonte, mund të qëndronte deri në mbyllje të sezonit të klubi napolitan.
“Dje isha në klub për të folur me presidentin dhe drejtorin Guontoli për situatën e Hsyajt. Këtë vit ishte e papritur se sa pak është aktivizuar, e kuptoj që është Mario Rui dhe Di Lorenco, por shpesh Ançeloti mund të përfitonte nga paraqitjet e Hysajt. Shpresoj që Gatuzo t’i japë më shumë hapësira dhe ta bindë të qëndrojë.
Elseidi ka qenë për tre vite mbrojtësi i krahut më i mirë në Itali, por pastaj filloi të luante pak për faktorë të ndryshëm dhe tani vlerësojmë atë që duhet bërë për të ardhmen. Kontrata e tij me Napolin skadon në qershor por do të shohim nëse me trajnerin e ri mund të ketë një minutazh më të lartë.
Pse nuk u shit në verë? Afrimi i Di Lorencos u bë pikërisht për të lënë të lirë futbollistin por për një sërë dinamikash të ndryshme, nuk u realizua shitja.
Nëse nga këtu e deri në janar do të kemi ndërgjegjësimin që hapësirat për të do të jenë të njëjtat, atëherë do të largohet. Nëse luan, do të qëndrojë të japë kontributin e tij deri në qershor”, tha Xhiufredi. /vipsport/