Interi pëson një tjetër humbje në kampionat!
Skuadra zikaltër është mposhtur me përmbysje ndaj Udinezes me rezultatin 3-1 në stadiumin “Dacia Arena”, e vlefshme për javën e shtatë të Serisë A italiane.
Të parët që kaluan në avantazh ishin të besuarit e Simone Inzagit me një “magji” të Nikolo Barelës me goditje dënimi në minutën e 5′. Baraspesha u vendos në minutën e 22′ ku Milan Skriniar shënon në portën e tij.
Golat e përmbysjes për bardhezinjtë nga Friuli u shënuan nga Bijol dhe Arslan, respektivisht në minutat 85′ dhe 90+3′.
Pas dy fitoreve radhazi mes kampionatit dhe Champions-it, respektivisht kundër Torinos dhe Viktoria Plzen, Interi pëson disfatën e tretë në kampionat, pas Lacios në transfertë dhe në derbi ndaj Milanit në stadiumin “San Siro”.
Me këtë humbje, zikaltërit renditen në vendin e 6-të me 12 pikë të grumbulluar, ndërsa Udineze ngjitet në vendin e parë me 16 pikë.