Probleme mbi probleme! Situata te Dinamo është komplikuar aq shumë, sa askush nuk e mendonte në fillim të sezonit.

Kur kanë mbetur edhe 10 javë kampionati, blutë e shohin veten seriozisht të rrezikuar për t’u kthyer atje ku vuajtën për plot një dekadë.

Skuadra nuk po arrin të marrë pikë edhe pas ndërrimit të trajnerëve, ndërkohë që rivalët kanë “fluturuar”. Dinamo duhet minimalisht të fitojë një vend në renditje, që aktualisht e ka 4 pikë larg, për të shmangur turpin.

Por situata, në vend që të përmirësohet, po përkeqësohet nga rezultatet në fushë dhe nga disa probleme disiplinore, ku i fundit është ai i mbrojtësit Eni Imami në derbin me Tiranën, që u luajt të dielën në Elbasan.

ÇFARË NDODHI – “Panorama Sport” mëson se mbrojtësi Eni Imami dhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Ermal Barushi, patën një debat të ashpër verbal në momentin e nisjes së derbit.

Pse? Lojtari shkoi te stoli i Tiranës, ku takoi Tefik Osmanin dhe pjesëtarë të tjerë të skuadrës kundërshtare. Madje, ai ngatërroi edhe trajnerin Rodolfo Vanoli, i cili në momentin që doli nga tuneli, iu drejtua stolit të Tiranës pasi pa Imamin aty.

Sjellja e mbrojtësit të kthyer nga dëmtimi nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve të Dinamos, aq më tepër duke ditur situatën që kjo skuadër po kalon.

Pas debatit në stadium, drejtuesit e klubit e kanë diskutuar çështjen dhe kanë vendosur që ta çojnë Imamin të stërvitet me skuadrën U-21. Kështu ka ndodhur dje, teksa lojtari ka zbatuar vendimin e drejtuesve të klubit.

SI NË SHKODËR – E njëjta situatë, me të njëjtin lojtar, ka ndodhur edhe në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës disa muaj më parë. Dinamo u mund 6-3 nga Vllaznia, ndërsa pas ndeshjes Imami takoi tifozët shkodranë.

Edhe në atë rast drejtuesve të Dinamos nuk u pëlqeu aspak sjellja e Imamit, por nuk morën asnjë masë, ndërsa këtë radhë nuk e kanë falur mbrojtësin. Kuptohet që edhe situata e rënduar në tabelën e renditjes ndikon jo pak dhe gjëra të tilla shikohen me “lupë”.