I ftuar mbrëmë në emisionin Star Sport ishte edhe Alsid Tafili. Futbollisti aktual i Tërbunit dhe ish i Vllaznisë foli për humbjen e fundit të kuqebluve. Mesfushori vuri theksin tek loja e dobët e shkodranëve, por duke shpresuar se pushimi i kampionatit do i bëjë mirë skuadrës.

Tafili u shpreh: “Pashë probleme me ritmin në ndeshjen kundër Egnatias. Ekipi i Vllaznisë mu duk shumë i ngadaltë dhe i parashikueshëm. Skuadra ka humbur besimin dhe duket se tashmë ka dalë nga objektivat.

Po ashtu rreshtimi i disa futbollistëve më bëri çudi. Adili si mbrojtës i djathtë apo edhe Smajli si një mesfushor në krah nuk dhanë atë që duhej. Kjo për shkak se ishin edhe jashtë rolit të tyre.

Diçka ndryshoi në pjesën e dytë kur Vllaznia kaloi me rreshtimin me 3 në mbrojtje. Skuadra duhet të gjejë reagimin e shpejtë dhe të duhur, pasi Europa nuk është shumë larg. Besoj se ky pushim i kampionatit do i bëjë shumë mirë skuadrës.

Kjo të paktën edhe për pak qetësi psikologjike dhe për tu rikthyer më të fortë në sprintin final të kampionatit”.
Endri ÇINARI