Enis Çokaj është një nga lojtarët shqiptar që po shkëlqen te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci. Mesfushori është një titullar fiks në këtë skuadër dhe këtë sezon është aktivizuar në 21 ndeshje, ndërsa ka shënuar një gol e ka dhënë 6 asiste.
Paraqitjet pozitive të Çokajt kanë rënë në sy të ekipit të madh kroat, Dinamo Zagreb që ka shfaqur interesim për të marrë shërbimet e futbollistit nga Kopliku.
Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga Çokaj që në një intervistë për “Sportske.jutarnji.hr“ është shprehur se është nder i madh që një klubi si Dinamo e kërkon në merkato.
22-vjeçari ka theksuar gjithashtu se është i fokusuar te Lokomotiva për të bërë ndeshje shumë të mira, ndërsa vendimin për të ardhmen do ta marrë së bashku me klubin e tij.
“Është një nder i madh, Dinamo është klubi më i mirë kroat. Megjithatë, nuk dua ta ngarkoj veten duke menduar për një transferim të mundshëm. Më takon mua të luaj mirë dhe nëse po, nuk do të mungojnë ofertat.
Dhe pastaj do të marr një vendim në marrëveshje me Lokomotivën, jam vendosur në klubin nga Kajzerica dhe çdo hap im i ardhshëm do të jetë i koordinuar me klubin”, u shpreh Çokaj./newsport/