Ngjarjet e ditës së fundit në Itali dhe në Shqipëri sa i përket përhapjes së koronavirus, kanë prishur një plan që do të kishte qenë më të vërtetë i bujshëm për vendin tonë. Klubi i Juventusit ka marrë në konsideratë në ditët e fundit idenë për të luajtur në Shqipëri ndeshjen e tij në Ligën e Kampioneve ndaj Olimpik Lion.
Juventusi ishte i ndërgjegjshëm që nuk do të luante dot me tifozë ndeshjen e kthimit në Torino pas dekretit qeveritar të dy ditëve më parë. Ndaj po kërkonte një vend ku të mund të luante këtë ndeshje dhe ku tifozët e tij të mund të udhëtonin për ta ndjekur sfidën.
Dy ishin hipotezat kryesore. E para ishte Malta, në Ta Qali, ndërsa e dyta sipas :Tuttosport” ishte “Air Albania” në Tiranë, dy vende fqinje ku udhëtimi i tifozëve nuk do të ishte i largët.
Por pista në Maltë ra menjëherë, pasi autoritetet në këtë vend kanë vendosur bllokimin e plotë të udhëtimeve të shtetasve italianë si masë ndaj përhapjes së infeksionit. Ndërkohë, caktimi zi “zonë e kuqe” e gjithë Italisë të hënën në darkë, bëri të pamundur lëvizjen e tifozëve jashtë saj.
Kufizimet e vendosura nga qeveria shqiptare gjithsesi e bënë edhe më të pamundur realizimin e kësaj ideje të bardhezinjve që tani me sa duket do të jenë të detyruar të luajnë ndeshjen në stadiumin e tyre, por pa praninë e tifozëve. /vipsport/