Një lajm i bujshëm vjen nga Italia. Luciano Moggi rikthehet te Juventus. Sigurisht, jo në “petkun” e një zyrtari klubi, pasi është i dënuar dhe nuk mund të ushtrojë aktivitetin e tij në futbollin italian. Moggi ishte i pranishëm në stadium gjatë ndeshjes Juventus-Genoa 1-0, të hënën në mbrëmje. Një vizitë kjo që u komentua si një vizitë e ish-drejtorit për të përjetuar edhe një herë emocionet e të qenit pjesë e klubit më të titulluar në Itali.

Por, duket se ka më shumë se kaq. Kjo pasi Moggi mund të jetë një urë lidhëse mes lojtarëve që Juventus kërkon në merkato dhe drejtuesve të klubit bardhezi. Moggi ka qenë “mbreti” i merkatos në vitet ’90 dhe eksperiencat e tij gjatë viteve në këtë fushë do të jenë një ndihmë për Drejtorin Sportiv të Juventusit, Marotta-n. Ky i fundit, nëse Moggi hyn në “lojë” mund të ketë shumë pak lodhje për të bindur një futbollist që do të kërkojë Juventus në merkato, pasi dihet aftësia bindëse e 80-vjeçarit në këtë fushë.Në fakt, Moggi aktualisht mban postin e këshilltarit të presidentit të Partizanit, Gaz Demit.Por, edhe pse pa licencë dhe në “pension” me futbollin italian, Moggi do të ishte ndihmë për Juventusin në fushën e merkatos së transferimeve./vipsport/