Një lajm i publikuar sot në mediat britanike nuk do të lerë shumë të qetë tifozët e Milanit deri në mbyllje të merkatos.

E përditshmja britanike “The Times” ka bërë të ditur se klubi i Çelsit është hedhur në sulm për një nga yjet e kësaj skuadre, element thelbësor në ecurinë e kuqezinjve drejt titullit kampion në edicionin e kaluar.

Sipas burimeve të gazetës angleze, Tuhel kërkon përforcime në repartin e avancuar dhe sidomos lojtarë të afirmuar në një moshë të re, në mënyrë që të ndërtojë me ta një cikël të gjatë fitues. Sytë e bluve kësisoj kanë rënë te Leao i cili po shkëlqen në Serinë A.

Raportohet se Milani ka kërkuar lojtarë në këmbim, përveç pagesës për Leao, pasi është i ndërgjegjshëm që portugezi mund të dëshirojë një eksperiencë në një kampionat shumë të fortë siç është ai anglez, për të bërë hapin e radhës dhe për t’u konfirmuar si një prej më të mirëve në qarkullim.