Investitorët nga Katari po punojnë për të paraqitur një ofertë blerjeje të klubit të Premier League, Manchester United. “Daily Mail” e raporton këtë, duke shpjeguar se investitorët janë përshkruar si “një grup individësh privatë dhe të pasur nga Katari”, vendi që priti Kupën e Botës më 2022.
Lajmi vjen pas hyrjes zyrtare në procesin e tenderit nga kompania INEOS e Jim Ratcliffe, e cila zyrtarizoi ofertën e saj muajin e kaluar. Pronarët amerikanë të klubit nga “Old Trafford”, familja “Glazer”, thanë në nëntor se kishin filluar të shikonin opsione, duke përfshirë investime të reja nga partnerët ose shitjen e Manchester United.
“Bloomberg” raportoi muajin e kaluar se “Qatar Sports Investments” (QSI), grupi që zotëron Paris Saint-Germain, po konsideronte një blerje të plotë ose aksione te Manchester United apo rivalët e Liverpool. Tifozët e “Djajve të Kuq” kanë kërkuar ndryshim të pronësisë dhe “Glazers” janë kritikuar intensivisht pasi trofetë e fundit të tyre datojnë në vitin 2017.
Në prill, mijëra njerëz protestuan jashtë “Old Trafford”, duke ndezur bomba tymuese dhe kënduar që pronarët amerikanë të largohen nga klubi. Skuadra, e drejtuar nga Erik ten Hag, është e treta në Premier League me 42 pikë në 21 ndeshje, 3 pikë prapa Manchester City, por 8 pikë pas liderit Arsenal, i cili ka luajtur një ndeshje më pak.