Çmenduritë në merkato të Çelsit nuk kanë fund. Ndonëse kanë shpenzuar qindra miliona euro në verë dhe tani gjatë janarit, blutë londinezë nuk ndalen dhe po përgatitin të hapin përsëri portofolin gjatë verës. Dhe sipas mediave franceze, kanë në plan të bëjnë blerje të bujshme.

“Le Parisien” ka bërë të ditur se këtë të martë në Paris ka qenë edhe një spektator i veçantë për ndeshjen mes PSG-së dhe Bajern Mynih, pronari i Çelsit, Tod Bohli.

Sipas këtij burimi, vizita në Paris ka qenë për t’u takuar me Al Khelaifin dhe për të diskutuar transferimin e brazilianit Nejmar gjatë verës.

Nejmar shihet si i padëshiruar te parisienët, të cilët janë fokusuar plotësisht te dyshja Mbape-Mesi. Ndaj ai është një emër që mund të sakrifikohet lehtësisht në verë, edhe për të çliruar klubin nga një barrë e rëndë financiare.

Por mbetet të shihet se sa është në gjendje Çelsi të plotësoje kërkesat e brazilianit e aq më tepër të parisienëve, të cilët shpenzuar shifrën rekord të 222 milionë eurove për ta blerë.