Deklaratat e fundit të Armando Brojës duket se nuk i kanë pëlqyer shumë klubit të Çelsit. Sulmuesi i Kombëtares, duke folur për mediat britanike, kritikoi klubin dhe trajnerin Poçetino që nuk e kishin mbështetur në momentet e tij më të vështira dhe theksoi se ishte gati t’u tregonte të gjithë atyre që dyshonin te ai se çfarë ishte në gjendje të bënte duke veshur fanellën e Shqipërisë në Europian.

Fjalë të cilat duket se nuk janë kapërdirë në klubin blu i cili është e qartë se do të largojë futbollistin gjatë verës. Dhe ka filluar ta “zhdukë” praninë e tij në klub që tani.

Në një shkrim në faqen e internetit të klubit që u kushtohet përfaqësuesve të Çelsit që marrin pjesë në Europian, emri i Brojës nuk figuron askund edhe pse ai pritet të jetë protagonist me Shqipërinë në Gjermani.

“Fat të mbarë të gjithë lojtarëve tanë të përfshirë”, shkruante Çelsi në këtë lajm që kishte emrat e Kukureja (Spanjë), Gallager dhe Palmer (Angli), Petroviç (Serbi) dhe Mudrik (Ukrainë). Askund nuk ishte emri i Brojës, ndonëse edhe ai shkon zyrtarisht si futbollist i Çelsit në këtë Europian meqë kontrata e huazimit të tij te Fullhemi përfundoi me mbylljen e sezonit futbollistik në Premier Ligë.