U lutëm për shëndetin e tij, por më kot. Mjekët bënë të pamundurë, por sëmundja e kishte vënë poshtëN dhe zemra e tij ka pushuar së rrahuri mëngjesin e sotëm. Viktor Martini nuk do të jetë më mes nesh. Një nga emrat e mëdhenj të boksit shkodran dhe shqiptar na ka lënë lamtumirën.

Padyshim që kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen Martini por edhe për të gjithë komunitetin e boksit. Me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i shprehim ngushëllimet më të sinqerta atyre për humbjen e njeriut dhe kolegut të tyre të dashur!

Viktor Martini më 5 dhjetor do mbushte 80 vjeç dhe nga të gjithë sportdashësit kujtohet si një prej boksierëve më të mirë të kohës së tij. E ka filluar sportin në vitin 1958 kur ishte vetëm 15 vjeç dhe menjëherë do të vinin sukseset e para teksa do të shpallej fillimisht kampion i Shqipërisë me të rinjtë.

Kalon me të rriturit dhe si pjestar i ekipit të Vllaznisë do të shpallej dy herë rresht kampion, pikërisht në vitet 1961 dhe 1962, por ëndrrat e tij për boksin do të ndërpriteshin një vit më pas sepse u vendos mbyllja e sportit të boksit në vendin tonë.

Me rihapjen e boksit në vitin 1991, do të angazhohej bashkë me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Ramiz Halilin, Fadil Efovijën, Tonin Demën, Kolec Ashikun, Kujtim Demin etj për ngritjen e ekipit të Vllaznisë dhe me punën e tij si trajner do të spikaste duke nxjerrë me duart e tij shumë boksierë kampionë.

Do të vazhdonte të ishte trajner i Vllaznisë deri në vitin 2004 (me shkëputje të herëpashershme) dhe nga rradhët e tij ka nxjerrë sportistë të cilët Viktori i ka evidentuar gjithmonë dhe mbi të gjithë dy emra kampionësh: Besnik Gjetajn dhe Sead Bushatin.

Ky është profili i këtij njeriu që ka qenë kampion dhe ka nxjerrë kampionë, i cili sot na dha lamtumirën. Ceremonia e varrimit do të jetë ditën e nesërme (e enjte). I përjetshëm qoftë kujtimi yt Viktor Martini!
Gjergj KOLA