Java e 6-të e Superiores do hapet sot me disa ndeshje shumë interesante në këtë raund. Dueli më i rëndësishëm i ditës së sotme mbetet ai mes Vllaznisë dhe Egnatias. Me dy ekipet që do zbresin në fushën e “Loro Boriçit” në orën 18:00. Ku të dy ekipet vijnë pas fitoreve në javën e shkuar.

Egnatia mund të quhet pa frikë ekipi më në formë i kampionatit. Ku pas 5 javëve të para kryeson me 10 pikë në tabelën e klasifikimit. Edhe në Shkodër sot, të besuarit e Tetovës do duan një rezultat pozitiv. Dhe timonieri i rrogozhinasve duket se ka hartuar edhe planin dhe formacionin për ndeshjen ndaj kuqebluve.

Kështu në portë si zakonisht pritet Alen Sherri, një nga portierët më të mirë në kampionat. Në mbrojtje nga e djathta sërish një shkodran si Fangaj. Me Maloten dhe Xhemajlin në qendër dhe Memollen në të majtë do kompletohet reparti i prapavijës. Në mesfushë pritet të gjejnë vend emra si: Aleksi dhe Zejnullai, që do kenë edhe fantazinë e Fernandos.

Në sulm i paprekshëm është Dwanena, golashënuesi dhe kapiteni i skuadrës. Sulmuesi nga Gana do ketë edhe mbështetjen Isgandarlit dhe Spahiut nga krahët. Një ndeshje për të mos u humbur sot mes Vllaznisë dhe Egnatias, ku dueli pritet me të vërtetë interesant.
Endri ÇINARI