Ndeshja Vllaznia-Universitatea Kraiova, që do të luhet më 21 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ora 21:00, pritet të mos transmetohet nga asnjë televizion shqiptar.

Lajmin e kanë konfirmuar dje për “Panorama Sport” burime zyrtare në klubin shkodran. Drejtuesit e Vllaznisë kanë mbetur të indinjuar nga ofertat që kanë mbërritur deri më tani nga televizionet shqiptare dhe në këtë mënyrë kanë vendosur që t’i refuzojnë ato.

“Një shumë e ofruar prej 2000 eurosh për ta transmetuar këtë takim të turit të dytë të Ligës së Konferencës është një ulje për klubin shkodran”, ka thënë dje për gazetën një zyrtar i lartë i Vllaznisë. Megjithatë, në klubin shkodran shpresojnë se të paktën stadiumi do të jetë i mbushur më 21 korrik.

Duke filluar nga sot, në sportelet pranë “Loro Boriçit” ka nisur edhe shitja e biletave për sfidën VllazniaUniversitatea Kraiova. Ndërkohë, biletat mund të blihen edhe online.

Interesimi pritet të jetë i madh nga tifozët, ndërsa çmimet variojnë nga 2 mijë lekë të vjetër në sektorët anësorë, 5 mijë lekë të vjetër në tribunën përballë dhe 10 mijë lekë të vjetër në tribunat qendrore A dhe B. Çmimi më i lartë është në sektorin VIP, aty ku një biletë kushton 30 mijë lekë të vjetër.