Grzegorz Kriçoviak ka qenë një nga ikonat e futbollit polak në dekadën e fundit. Por largimi nga Europa drejt kampionatit arab ku luan me Abha, duket se ka vendosu vulën edhe mbi pjesëmarrjen e 33-vjeçarit në radhët e kombëtares polake.

I kritikuar ashpër par paraqitjet e fundit, sidomos atë ndaj Shqipërisë në “Air Albania”, Kriçoviak ka vendosur që ta mbyllë me përfaqësuesen e vendit të tij, me të cilën luajti 100 ndeshje.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai bëri të qartë se nuk do të ishte më pjesë e ekipit në të ardhmen, duke i uruar fat.

“Të luaja 100 ndeshje me shqiponjën e bardhë në gjoks është për mua nderi më i madh i karrierës dhe i tillë do të mbetet gjithmonë”, shkruante futbollisti.

Ai nuk bëri të ditur se si kishte ardhur ky vendim, por në mediat polake spekulohet se trajneri Mishal Probierz, i cili mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Fernando Santos, i kishte bërë të qartë se nuk ishte më pjesë e planeve të tij dhe nuk do ta grumbullonte për ndeshjet e tetorit.