Shqipëria shënoi një moment historik në futbollin evropian, pasi kryetari i FSHF-së, Armand Duka është zgjedhur zëvendës president i UEFA-s.Pas këtij vendimi nga organi më i lartë në futbollin evropian, ka ardhur edhe reagimi i kreut të futbollit shqiptar.

Duka ka thënë se ndihet shumë i nderuar që i është besuar ky post, por edhe që është një vlerësim i madh për sportin shqiptar.

“Dua të ndaj me ju lajmin se nga sot më është besuar detyra e Zëvendës Presidentit të UEFA-s. Ndihem shumë i nderuar nga ky besim që më ka dhënë komiteti i futbollit evropian. Ky është padiskutim një privilegj i madh për mua por në të njëjtën kohë është dhe një vlerësim i madh që i bëhet futbollit shqiptar e punës së madhe që është bërë në këto vite”, ka thënë fillimisht kryetari i FSHF-së.

“Komuniteti i futbollit shqiptar sot ka një vend në drejtimin e futbollit evropian dhe së bashku do të japim kontributin tonë për mbarëvajtjen dhe strategjitë zhvillimore të futbollit në të gjithë Evropën”.

“26 shtatori 2023 do të mbetet një datë historike për futbollin shqiptar dhe jo vetëm sepse familja e madhe e futbollit evropian, UEFA, na besoi organizimin e Kampionatit Evropian për 17 vjeçarët në vitin 2025-të. Ky Kampionat Evropian është pa diskutim organizimi më i madh në historinë e futbollit tonë dhe duhet të jemi shumë krenar që pas organizimit të suksesshëm të shumë aktiviteteve evropiane tani na u besua një kompeticion kaq prestigjioz”.

“Përpara kemi shumë punë, na presin sfida të rëndësishme, por së bashku me Qeverinë shqiptare, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bashkitë e qyteteve që do të mirëpresin këtë kompeticion, do të arrijmë të bëjmë një organizim të shkëlqyer që do të nderojë Shqipërinë dhe futbollin tonë”, përfundoi Duka. /Telegrafi/