Vllaznia ka mbyllur pasditën e sotme ditën e fundit të përgatitjeve për përballjen e “Klasikes” së futbollit shqiptar ndaj Tiranës. Ata do të luajnë pasditën e nesërme në Shkodër përballë kryeqytetasve dhe natyrisht pritet që skuadra kuqeblu të marrë një rezultat pozitiv, që është fitorja.
Për këtë duket se po mendon edhe trajneri Goçe Sedloski. Nga sa është shikuar në këto ditë të fundit të përgatitjeve, sërish për përballjen me kryeqytetasit, trajneri mësohet se do t’u besojë pikërisht futbollistëve që luajti në ndeshjen e tij të parë në krye të Vllaznisë.
Kështu, nisur nga kjo, trajneri Sedloski edhe për “Klasiken” me Tiranën do t’i besojë formacionit që startoi takimin ndaj Erzenit në debutimin e tij. Në portë do të jetë Zogoviç. Në mbrojtje katërshja e përbërë nga kapiteni Gurishta nga e djathta, Juriç e Bulatoviç në qendër dhe nga e majta Hakaj.
Me skemën 4-2-3-1 në mesin e fushës përpara mbrojtjes, pritet që të jetë dyshja Boshnjaku dhe Marku. Pas Bekim Balajt që pritet ta nisë këtë “Klasike” si titullar, pritet që të jenë njëri mes Çobës dhe Hoxhajt në të djathtë, Jonuzi dhe Latifi nga e majta.
Megjithatë, deri ditën e nesërme trajneri Goçe Sedloski mund të ketë planifikuar ndonjë lëvizje tjetër, por gjasat janë që kjo do të jetë 11-shja e tij që do të hedhë në fushën e lojës nesër nga fillimi. “Klasikja” e futbollit shqiptar Vllaznia-Tirana do të luhet pasditën e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 18:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalet e OverSport në platformën TIBO nën komentin e komentatorit Gentjan Alinani. /Maringlen ZHIVANI/
Formacioni i Vllaznisë (4-2-3-1): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Boshnjaku, Marku, Çoba (Hoxhaj), Jonuzi, Latifi, Balaj Tr: Goçe Sedloski