✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Java e shtatë e kampionatit të kategorisë së dytë ka në kalendarin e saj “derbin” Basania- Veleçikut. Ajo ka qenë e planifikuar të luhet ditën e shtunë në fushën sportive të Bushatit, por në orët e fundit gjërat kanë ndryshuar.

Gazeta “Shkodra Sport” ka mësuar se drejtuesit e Basanias duke parë reshjet e shumta të shiut që po bien dhe janë parashikuar të jenë të tilla deri në fundjavë, e kanë bërë të pamundur luajtjen e kësaj ndeshje në fushën sportive të Bushatit.

Në këto rrethana, ata kanë kërkuar ndihmën e Bashkisë Shkodër dhe të Klubit të Futbollit Vllaznia për ta luajtur këtë ndeshje në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe në fakt e kanë gjetur menjëherë mbështetjen dhe aprovimin e tyre.

Por meqenëse ditën e shtunë kjo fushë është e zënë me ndeshjet e ekipeve të Akademisë Vllaznia, është rënë dakord që sfida Basania- Veleçiku të luhet ditën e dielë në orën 14:00 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Një gjë e tillë është aprovuar edhe nga FSHF dhe tashmë gjithçka është zyrtarizuar.

Kujtojmë që pas javës së gjashtë të kampionatit, Basania ka arritur të grumbullojë 5 pikë pas 5 ndeshjesh të luajtura dhe ndodhet në vendin e shtatë të renditjes, ndërsa Veleçiku në 6 ndeshje të luajtura ka grumbulluar vetëm 4 pikë dhe mban vendin e dhjetë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”