Probleme pa fund për Vllazninë. Drejtuesit e saj jo vetëm që po hasin vështirësi të mëdha për gjetjen e lojtarëve cilësorë në merkato për ta plotësuar skuadrën, por “vrimat” e saj po shtohen dita- ditës.
Sot u zyrtarizua largimi i Ardit Krymit, ndërkohë që lajmet e fundit flasin edhe për një largim të mundshëm të portierit Leon Pohls. Për gjermanin ka shfaqur interes klubi moldav Sherif Tiraspol, i cili mësohet të ketë avancuar më tej duke i bërë edhe një ofertë zyrtare Vllaznisë për marrjen e tij.
Por duket se shkodranët nuk kanë mbetur të kënaqur me ofertën e bërë nga moldavët, gjithsesi negociatat mes palëve vijojnë. Largimi i mundshëm i Pohls në këto momente do t”i prishte jo pak punë Vllaznisë sepse në sezonin që sapo u mbyll ai ishte një pikë e fortë e formacionit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


