Tek Vllaznia, të gjithë futbollistët me përjashtim të Liridon Latifit, janë të gatshëm për ndeshjen e sotme ndaj Erzenit. Ditën e djeshme, shkodranët kanë mbyllur përgatitjet për ndeshjen e sotme, ndërsa trajneri Mirel Josa, mes disa dilemave, ka vendosur edhe për 11-shen që do të zbresë në fushë ndaj shijakasve.

Kështu, formacioni do të jetë ai klasiku me 4-3-3, duke filluar me Zogoviç në portë. Më pas, kapiteni Gurishta, Juriç dhe Bulatoviç në mbrojtje, ndërsa majtas Hakaj.

Mesfusha do të jetë me treshen Jonuzi, Alivoda dhe Boshnjaku. Jonuzi kthehet pas dëmtimit që kishte pësuar, e po ashtu Lorik Boshnjaku që e ka kaluar dëmtimin.

Nga ana tjetër, në sulm pritet të jetë Mala dhe Marku nga krahët, teksa në majë do të vendoset Ardit Hoxhaj.

Të gjitha këto lëvizje janë planifikuar në seancat e fundit stërvitore të Vllaznisë. Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon trajnerit Mirel Josa. Ndërkohë, në sfidën me Erzenin, tekniku Josa do ta ketë ekipin pothuajse të plotë, me përjashtim të Liridon Latifit.

Sfida Vllaznia-Erzeni do të luhet ditën e sotme në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Alivoda, Boshnjaku, Mala, Marku, Hoxhaj. Tr: Mirel Josa