Bojan Zogoviç ka pësuar 10 gola në fazën e parë, por ka qenë disa herë vendimtar me pritjet e tij, duke i dhënë pikë shumë të rëndësishme Vllaznisë. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Bylisit ai bëri një ndërhyrje të jashtëzakonshme në fundin e lojës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, malazezi që luan sezonin e tretë në Shkodër, ka folur për ecurinë e skuadrës dhe ndeshjen e sotme me Erzenin.

Bojan, fitorja e fundit ishte mes drithërimash. Pse vuajti kaq shumë Vllaznia ndaj Bylisit?

Po, e vërtetë është që vuajtëm. Megjithatë, unë mendoj se përballë kishim një kundërshtar që luan futboll të mirë. Nga ana tjetër ne duhej të merrnim fitoren patjetër. Mund të shkonte më mirë si ndeshje, por në fund tri pikët janë më të rëndësishmet dhe ne i morëm.

U komentua shumë rasti i pretenduar për penallti në fund nga Bylisi. E keni penguar Qardakun?

Unë mendoj se ishte një vendim i drejtë i arbitrave. Në atë moment nuk kam bërë asnjë pengim, kundërshtari u rrëzua para këmbëve të mia.

Si e keni parë ecurinë e ekipit në këtë fazë të parë dhe a mendoni se mund të bënit më mirë?

Unë mendoj se kemi një ekip të mirë dhe e rëndësishme është që fazën e parë e përfunduam me fitore. Kishim shumë lojtarë të dëmtuar në këtë periudhë, kështu që kur të jemi të kompletuar do të jemi edhe më mirë se kjo fazë që lamë pas. Sigurisht që mund të merrnim më tepër pikë nga sa kemi dhe të ishim pranë kreut, por ju e shihni që kampionati është thuajse i barabartë dhe se nuk është e lehtë të mundësh askënd. Mendoj se do të jetë një sezon i pasigurt për të gjithë.

Ku duhet të ishte bërë më mirë sipas jush?

Kemi pësuar shumë gola në këto nëntë ndeshje dhe mendoj se ne duhet të jemi edhe më të fortë në mbrojtje. Kur them më të fortë duhet të jemi të gjithë si ekip në mënyrën si mbrojmë.

Sot luani ndaj Erzenit, që ka bërë surpriza të mëdha deri më tani, madje e ka nisur me një fitore ndaj Vllaznisë. Si e prisni këtë duel?

Sigurisht që Erzeni është surpriza më e madhe për momentin. Ne do të luajmë në maksimumin tonë dhe do ta marrim shumë seriozisht ndeshjen me ta. Duhet të bëjmë gjithçka për të fituar patjetër sot.

Keni një kalendar të favorshëm në vazhdimësi, ku luani më tepër në fushën tuaj në javët e para të fazës së dytë…

Është bukur të luash në stadiumin tonë dhe natyrisht që duhet të përpiqemi të marrim sa më shumë pikë. Le ta shikojmë ndeshje pas ndeshjeje këtë se sa do ta shfrytëzojmë fushën tonë.