Dinamo është gati për të sfiduar Egnatian. Pikërisht sot në orën 17:00 do të zbresin në “Elbasan Arena” për të diskutuar titullin e Kategorisë së Parë. Kanë plot 33 trofe në elitën e futbollit shqiptar, e megjithatë e duan edhe këtë kupë si shpërblim të mundit dhe stresit që kanë kaluar gjatë 9 viteve të fundit në inferiore. Këtë e thotë edhe Olsi Uku pak orë para kësaj finaleje. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri nuk i kursen elozhet për kundërshtarin, por qartëson se i ka studiuar mirë dhe gjithçka do ta mbyllë brenda 90 minutave.

Pas një sezoni të stërzgjatur dhe luhatjeve, rrugëtimit të Dinamos në inferiore i erdhi fundi. A ndiheni më të lehtësuar?

E vërtetë, tani ndihem shumë i lehtësuar. Ka qenë një rrugëtim i gjatë, plot stres dhe momente të errëta. Por, ja ku jemi.

Para ngjitjes zyrtare në elitë, nesër (sot) keni edhe një finale me Egnatian. Sa vlen për ju kjo ndeshje?

Sigurisht që vlen. Kurorëzohet fundi i një sezoni me mund, vuajtje, dhe ankth. Kemi edhe ne të drejtë të gëzojmë. Sa e njihni kundërshtarin dhe a keni pasur kohë të informoheni për pikat e forta e të dobëta? Në kushte fushe nuk e njohim, megjithatë e kemi studiuar. I kemi ndjekur disa ndeshje me video dhe kemi analizuar grupin që ata kanë, cilësitë individuale apo mënyrën si sillet. Është një kundërshtar që e vlerësojmë, sepse jo më kot ka arritur deri në këtë finale.

Sa do të ndihet mungesa e Diogos?

Për ne “Xhogo” është një humbje e madhe, pasi ka pa sur peshë të madhe në realizimin e objektivave tanë.

Pjesa tjetër e grupit a është gati?

Ka pasur probleme edhe mbrojtësi Paterni, një pikë e fortë e skuadrës edhe ky. Nuk kemi vendosur ende për të, por deri nesër (sot) shpresojmë që të bëhet mirë dhe të jetë në formacion. Gjithsesi, jemi e përgatitur për ta përballuar këtë ndeshje edhe me këto mungesa.

A keni menduar për penalltitë?

Futbolli gjithnjë ka të papritura dhe sidomos kur bëhet fjalë për finale. Jemi përgatitur për çdo mundësi edhe pse besoj se do ta zgjidhim brenda kohës së rregullt. S’do lëmë asgjë në dorën e fatit.

Do të luani kundër Maganit, mikut tuaj të vjetër…

E vërtetë. Magani është një njeri që gëzon respektin tim maksimal, për punën që bën. Këtë vit bëri historinë në Rrogozhinë, duke i ngjitur pas 16 vitesh.

Sa për qind e këtij grupi është gati për të luajtur në elitë?

Mendoj se projekti i ri i elitës duhet të nisë nga baza e këtij ekipi që bëri të mundur ngjitjen e tij. Nuk jam në gjendje të flas me përqindje, por pjesa dërrmuese meriton të qëndrojë.

Cila do të jetë e ardhmja e Olsi Ukut, a do të mbetet pjesë e bluve?

Unë po mendoj për të tashmen. Kemi edhe këtë ndeshje për të mbyllur dhe më pas do të ulemi me drejtuesit e do të diskutojmë për këtë çështje. E rëndësishme është që e kthyem Dinamon pas 9 vitesh në elitë.