Nëse ka një ekip që ka formën e shkëlqyer momentalisht në Superligë, ai është Kastrioti. Krutanët dje morën një tjetër fitore në shifrat 0-1 dhe kësaj rradhe kundër Tiranës.

Kjo ishte edhe fitorja e dytë këtë edicion kundër bardhebluve, ndaj të cilëve skuadra e drejtuar nga Çela ka marrë 7 pikë. Më shumë se askush tjetër këtë edicion.

Por ky ishte suksesi i gjashtë rradhazi për Kastriotin. Tashmë në kuotën e 40 pikëve në renditje duket se mbijetesa është siguruar. Në një moment në janar ku skuadra vinte vetëm me 8 pikë dhe konsiderohej se ekipi i parë që do rrëzohej nga Superliga, krutanët pësuan një metamorfozë të frikshme. Ardhja në stol e Emiljano Çelës duket se ishte pika e kthesës.

Fitoret e njëpasnjëshme, kjo edhe kundër ekipeve prestigjoze si: Vllaznia, Partizani, Kukësi apo Tirana bënë që Kastrioti të largohet ndjeshëm nga zona e mbijetesës. Duhet të kthehemi pas 2 muaj në kohë për të parë humbjen e fundit të krutanëve. Të cilët për herë të fundit janë mposhtur me rezultatin 2-1 nga Egnatia në javën e 22-të të kampionatit.

Dhe oreksi vjen duke ngrënë e duket se diçka e tillë po i ndodh edhe Kastriotit. Tashmë sytë janë nga një vend në kupat e Europës dhe nga ëndrra e pamundur në fillimin e sezonit. Vetëm 6 pikë larg është Kukësi i vendit të tretë dhe duke parë formën që po kalojnë krutanët asgjë nuk duket e pamundur.

Tashmë për Vllazninë shtohet edhe një rival tjetër në kampionat që përveç Kukësit dhe Partizanit duhet ti bëjë llogaritë edhe me Kastriotin për një vend në Europë në fund të sezonit.

Endri ÇINARI