Marash Kumbulla është në qendër të vëmendjes për shkak të performancës së mrekullueshme përgjatë këtij sezoni. Besojeni ose jo, qendërmbrojtësi ynë i Kombëtares paguhet vetëm 50 mijë euro në sezon.

Sikurse raporton Gianlucademarzio, shtatlarti i prapavijës kuqezi ka lidhur një kontratë profesioniste me Veronën në fillim të këtij edicioni dhe paga që përfiton në muaj është e papërfillshme në krahasim me nivelin e Seria A.

Po të bëjmë një krahasim të shkurtër, 20-vjeçari paguhet aq sa marrin lojtarët të cilësuar si më të mirë në kampionatin shqiptar. Madje ka edhe nga ata që e kalojnë shifrën e 5 mijë eurove në muaj, siç është sulmuesi i Tiranës, Michael Ngoo që paguhet afro 7 mijë euro në muaj.

Kujtojmë që Kumbulla po vëzhgohet nga Manchester City, Barcelona, Real Madrid dhe Inter. Kjo merkato vere vështirë se do ta lërë te Verona. Vlera e kartonit të tij është 20 milionë euro, ndërsa paga e tij 50 mijë euro në sezon./newsport/