Tashmë është gjithçka e mbyllur. Ekipi i Pogradecit ka zgjedhur trajnerin e ri dhe është shkodrani Samuel Nikaj, ai që do të jetë në krye të pankinës liqenore për sezonin e ri. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë trajneri shkodran në një komunikim me “Shkodra Sport”.

Ky i fundit ishte shumë pranë emërimit në krye të Vëllaznimit të Gjakovës, por gjërat duket se kanë marrë krejt rrjedhë tjetër. Ditën e djeshme, Nikaj ka qenë në shoqërinë e drejtuesve dhe zyrtarëve të klubit pogradecar, teksa ka qenë ky takim që ka mbyllur gjithçka mes palëve.

Tashmë, mësohet se shumë shpejt, Samuel Nikaj do të paraqitet zyrtarisht përpara futbollistëve, me të cilët do të luajë në Kategorinë e Dytë.

Ekipi i Pogradecit kërkon të rikthehet në fund të sezonit me patjetër në Kategorinë e Parë dhe prandaj është afruar si trajner edhe një emër i njohur, siç është shkodrani Samuel Nikaj, që pothuajse në të gjitha ekipet ku ka punuar, ka kurorëzuar suksese të ndryshme.
Maringlen ZHIVANI