Ndryshime në krye të ekipit të volejbollit të femrave të Vllaznisë. Pas dorëheqjes së trajnerit të mëparshëm Besnik Lisha nga detyra e trajnerit, nga sot vendin e tij e ka zënë një tjetër emër shumë i njohur i volejbollit shkodran dhe atij shqiptar.

“SHKODRA SPORT” meson se bëhet fjalë për Nora Dedën. Një ndër volejbollistet më të mira në historinë e Vllaznisë, e cila vitin e kaluar u vlerësua si “volejbollistja e shekullit”, ditën e sotme ka firmosur kontratën dhe kësisoj është zyrtarisht trajnere e këtij ekipi.

Deda merr përsipër një detyrë të vështirë në fakt sepse pas problemeve që ka patur ky ekip, janë larguar plot 5 lojtare titullare të cilat i janë bashkuar ekipeve të Skënderbeut dhe Barleti Volej.

Për këtë arsye, trajneres së re i del për detyrë që me elementin e ri që ka në dispozicion, por edhe disa nga lojtaret e tjera me eksperiencë, të ringrejë në këmbë sërish Vllazninë.

Nora Deda siç dihet është edhe pedagoge në Fakultetin e Edukimit Fizik pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, megjithatë nuk mund të qëndronte larg sportit të cilit i kushtoi rininë e saj dhe për këtë arsye e ka pranuar ofertën e drejtuesve të klubit për të marrë drejtimin e këtij ekipi./SHKODRA-SPORT.COM/