Sindrit Guri do të largohet në fund të ndeshjeve të Europës nga Shkëndija. Sulmuesi, me mbylljen e këtyre ndeshjeve europiane, do të rikthehet të luajë jashtë Shqipërisë.
Burime të “Shkodra Sport” mësojnë se, nuk dihet akoma se ku do të jetë e ardhmja e tij në cilin ekip, por një gjë është e sigurt se sulmuesi shkodrani do ta vijojë karrierën e tij jashtë pas ndeshjeve të Kupave të Europës me Shkëndijën.
Guri u transferua në fillim të këtij sezoni nga Belgjika tek Shkëndija, duke u rikthyer në një formë mjaft të mirë dhe tashmë kërkon të bëjë një tjetër transferim jashtë vendit, por këtë herë në një skuadër ku të jetë titullar.
Sulmuesi ka vendosur që të jetë pjesë e Shkëndijës në Kupat e Europës, por më pas do të largohet, teksa një gjë e tillë do të ishte humbje e madhe për klubin shqiptaro-maqedonas, pasi Guri ka qenë një pikë kyçe këtë sezon dhe mjaft vendimtar.
Ditët e fundit në media, është përfolur se ai ka arritur akordin me Partizanin, edhe pse nuk ka ende konfirmime zyrtare nga asnjë palë.
Megjithatë, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” bëhet e ditur, se karriera e Gurit pritet të vazhdojë jashtë Shqipërisë, teksa në fund të Kupave të Europës do të largohet nga Shkëndija.
Merkato e verës pritet të jetë mjaft e nxehtë për Sindrit Gurin për të mësuar se cila do jetë skuadra e tij e ardhshme, pasi me kampionatin maqedonas dhe atë shqiptar e ka mbyllur momentalisht dhe as nuk i ka në planet e tij.
Maringlen ZHIVANI