Egnatia nuk do të ketë shërbimet e mesfushorit Demir Imeri për sezonin e ri. Shqiptaro-maqedonasi nuk ka rinovuar, teksa nuk ka gjetur dot gjuhën e përbashkët për të zgjatur bashkëpunimin me rrogozhinasit, duke u larguar përfundimisht nga Egnatia.

Kujtojmë se, 26-vjeçari u bashkua me rrogozhinasit në merkaton e verës së kaluar, teksa me paraqitjet e tij luajti 32 ndeshje, duke shënuar edhe katër gola me skuadrën e Egnatias.

Tashmë, me interes mbetet për t’u parë e ardhmja e ish-fantazistit të Vllaznisë, Demir Imeri. Edhe në Shkodër aventura e tij zgjati vetëm një sezon. Duket se i pëlqen të ndryshojë shpesh skuadër dhe kështu ka vepruar edhe këtë herë.

Aftësitë e ti si futbollist në fakt nuk janë vënë asnjëherë në dyshim, por kjo nuk mjafton për të fituar besimin e tifozëve apo dhe drejtuesve të skuadrës ku luan dhe prandaj ai do të kërkojë një tjetër për sezonin e ri. Ndoshta sërish në kampionatin shqiptar.
Maringlen ZHIVANI