Analizë nga Agim Medja

Ka qenë një fitore e pritshme nga futbollistët dhe stafi drejtues ajo që Vllaznia arriti ndaj Luftëtarit. Skuadra shkodrane nuk e kishte nisur mirë kampionatin dhe për rrjedhojë ishte para njëfarë presioni. Vllaznia ashtu si shumë skuadra të tjera të Superligës shqiptare apo dhe të tjera nga jashtë kampionatit shqiptar, e vuajti problemin e harmonizimit të lojtarëve. Ardhja e 11 apo 12 futbollistëve në merkaton e verës, sigurisht që krijon jo pak punë për stafin për t’i gjetur secilin vendin e vet dhe për të marrë më të mirën e tyre. Kuptohet që duke e parë në aspektin e ndërtimit të skuadrës, kjo nuk është gjë e mirë sepse sezonin e ardhshëm Vllaznisë do t’i duhet të blejë sërish po kaq futbollistë sepse këta aktualët janë të gjithë me kontrata njëvjeçare. Megjithatë e rëndësishme për të ishte kthesa në këtë fillim-kampionati.
Tek Vllaznia përveç marrjes së tre pikëve, gjithmonë kërkohet edhe përmirësimi i lojës sepse kampionati sa vjen e vështirësohet.Edhe skuadrat kundërshtare e rrisin paraqitjen e tyre dhe prandaj duhet punuar shumë për të arritur formën më të mirë. Stafi duhet ndalur edhe pas fitores së pastër me Luftëtarin për ta analizuar ndeshjen sepse pavarësisht se ajo u fitua madje me rezultat të pastë, jo çdo gjë ka shkuar ashtu siç duhet. Gjatë 90 minutave jo gjithçka ishte për t’u duatrokitur. Luftëtari u paraqit një skuadër kompakte në mënyrën e organizimit të saj, qoftë edhe në mbrojtje por edhe në daljen në sulm.Prandaj dhe Vllaznia në momente të veçanta nuk ishte e gatshme, qoftë në repartin e mesfushës apo dhe në mbrojtje për të thyer  veprimet e saj.Në mënyrë absolute jo gjithmonë, fitorja e Vllaznisë nuk duhet zbehur por në mënyrë kritike duhet analizuar vendosja e skuadrës në mbrojtje apo dhe për rreziqet që iu krijuan kur kundërshtari ishte me një futbollist më pak. Këto gabime duhen korigjuar në mënyrë që ndeshjet e tjera, në të tilla rrethana, situata të mos marrë rrjedhë tjetër.Pra, ka ende për të përmirësuar sepse duhet bërë ende në harmonizimin e lojës.Fitorja ndaj Luftëtarit nuk duhet të na mashtrojë. Tani pritet ruajtja e tempit nga ekipi i Vllaznisë dhe për rrjedhojë, ndaj Apolonisë patjetër që duhet marrë fitorja megjithëse nuk ka asnjë ndeshje të lehtë.