Forma e mirë sportive që po kalon mbrojtësi i Vllaznisë Dritan Smajli, ka frymëzuar njerëz që e njohin mirë futbollin të bëjnë një pyetje pse ky futbollist nuk thirret në kombëtare. Njëri nga ata që e bën një pyetje të tillë është gazetari i mirënjohur sportiv Ymer Striniqi. Prej mëse 50 vitesh që ai e ndjek me një rregullsi të pazakontë gjithçka ndodh në sportin shqiptar, Striniqi është në gjendje të bëjë edhe një krahasim me shumë vlera ndoshta.”Unë doja publikisht të pyesja trajnerin e kombëtares tonë De Biazi apo dhe pjestarë të stafit të tij: Çfarë ka më tepër Dallku sesa Smajli.


Dallku vazhdon të luajë prej vitesh në kombëtare megjithëse është njëri prej futbollistëve që bën shumë gafa, madje edhe në ndeshjen e fundit në Zvicër, e nuk paska vend për Smajlin, mbrojtësin e djathtë më të mirë në Shqipëri.është absurde mosthirrja e këtij futbollisti në kombëtare asnjëherë. Këtu ka diçka që nuk shkon. Pastaj ende nuk e di pse De Biazi nuk preferon të vijë të shohë asnjë ndeshje në Shkodër, të shohë vlerat e lojtarëve të Vllaznisë. Edhe ai duket se po praktikon të njëjtën praktikë pune si paraardhësit e tij për t’i ndjekur lojtarët nga Tirana ose nga jashtë vendit. Kjo nuk është e drejtë. Dritan Smajli për gjithë ato çfarë po tregon prej vitesh, duhet të jetë pjesë e kombëtares shqiptare”-thotë 69 vjeçari Striniqi me një përvojë të madhe në fushën e gazetarisë dhe publicistikës sportive.
www.shkodrasport.com