Një tjetër shkodran merr post drejtues në një nga Federatat tona sportive. Bëhet fjalë për Tonin Binoshin që është emëruar sekretar i Federatës Shqiptare të Pingpongut. Emërimi ka ardhur nga një shkresë e ministrit të sportit Aldo Bumçi pas propozimit të bërë nga vetë Federata. Pas Ilir Krajës tek peshëngritja dhe Korab Llazanit tek basketbolli, Binoshi bëhet i treti shkodran që do drejtojë një Federatë. Ai është një nga emrat më të njohur të pingpongut shqiptar. Ka qenë vetë sportist teksa ka garuar për Vllazninë por edhe Dinamon. Ka arritur të shpallet kampion kombëtar në vitin 1978 ndërsa në vitin 2003 është shpallur sërish kampion por këtë herë si trajner me Vllazninë.


Prej vitesh është pjesë e Federatës si anëtar kryesie ndërkohë që nga dita e djeshme është zyrtarisht sekretar i saj. Ai sot ka udhëtuar drejt Tiranës për të nisur menjëherë punën sepse këtë Federatë e presin disa aktivitete të rëndësishme dhe prandaj duhen marrë menjëherë masat për to. E rëndësishme është që Tonin Binoshi, tashmë është në krye të kësaj Federate, duke i dhënë edhe më tepër emër sportit shkodran që vazhdon të dhurojë edhe kuadro drejtues.
www.shkodrasport.com