Vllaznia është në pritje të afrimeve. Te shkodranët, largimet sigurisht që do të pasohen me afrime, por është ende herët që në Shkodër të shohim lëvizje në hyrje.

Pa u qartësuar mirë se cilët futbollistë do të qëndrojnë, nuk mund të bëhen lëvizje. Kështu, pritet që nga e hëna të qartësohet plotësisht situata me ata që do të qëndrojnë dhe që janë pjesë e projektit të Josës.

Nga ajo që është arritur të kuptohet në Shkodër, plani është që të ndërtohet një ekip konkurrues, me qëllimin minimal, kualifikimin në kompeticionet europiane. Fakti që Vllaznia luan ndeshjen e parë në Europë nga fundi i korrikut, jo vetëm i jep kohë Josës për të menduar për futbollistët që do të vijnë, por edhe për të zhvilluar një mini-fazë cilësore përgatitore.

Ky fakt është njëfarë luksi për klubin, për të mos u nxituar dhe studiuar mirë futbollistët, që do të afrojnë. Ecuria jo fort e mirë e ekipit shkodran në kampionatin e fundit, ka vendosur në lëvizje drejtuesit e klubit, të cilët kërkojnë të mos bëjnë gabimet e vjetshme në përzgjedhjen e afrimeve.

Kështu, nga sa mësohet nga “Shkodra Sport” do të bëhet merkato në çdo repart, përveç portës. Me Zogoviç drejt rinovimit dhe Qarrin, janë që të dy siguri për Vllazninë për të ardhmen, prandaj klubi nuk ka menduar të afrojë në ekip një gardian të ri.

Reparti me nevojën më të madhe për t’u përmirësuar është mbrojtja, një pikë e dobët e Vllaznisë në sezonin që sapo u mbyll. Synimi i drejtuesve do të jetë që ky repart të forcohet me afrime nga brenda Superiores.

Kështu, Vllaznia e sezonit të ri po hartohet. Klubi ka për qëllim vendosjen e themeleve dhe përgjatë kësaj kohe, ata po punojnë për skuadrën e ardhshme.

Afrimet e reja do të jenë të pikasura me kujdes dhe profesionalizëm. Në ditët në vijim, pritet të ketë lëvizje konkrete në hyrje dhe në dalje.
Maringlen ZHIVANI