Nesër në orën 16:00 në Ballsh luhet një ndeshje shumë interesante për javën e dytë të Kategorisë Superiore. Bylis pret në shtëpi Vllazninë. Kjo është një sfidë e veçantë, sepse këtko klube në sezonin e kaluar kanë qenë pjesë e Kategorisë së Parë, edhe pse nuk janë ndeshur së bashku gjatë sezonit, sepse ishin në grupe të veçanta.

Mirëpo, Bylis dhe Vllaznia i “përplasën” brirët në fundin e sezonit në stadiumin “Niko Dovana” për finalen e Kategorisë së Parë, se kush do të dilte kampionia e vërtetë. Ballshiotët nuk e diskutuan fitoren dhe i mposhtën kuqeblutë me rezultatin 3-1 dhe u duk se një triumf shumë i thjeshtë.

Gjithsesi tani luhet për tjetër objkektiv dhe mbi të gjitha për një tjetër nivel, pasi bëhet fjalë për elitën e futbollit në vend. Mallakastriotët do tentojnë të fitojnë, pasi javën e shkuar u mundën nga Teuta 1-0. Për më tepër që javën që vjen do të udhëtojnë drejt Korçës, ku i pret Skënderbeu, tjetër kundërshtar shumë i vështirë për t’i marrë pikë.

Kësisoj, Bylisi ka dy ndeshje deçizive përpara dhe vetëm fusha e blertë do e tregojë nëse skuadra e drejtuar nga trajneri Dovedan do arrijë të bëjë surprizën, duke treguar që do të jetë një “kockë” e fortë për çdo kundërshtar./newsport/