Ndeshjet e ditës së dytë, në ndryshim nga ato të së parës, nuk kanë shkuar ashtu si duhet për boksierët e Vllaznisë. Ato që kanë prishur planet e trajnerit Gjoni dhe stafit të tij, kanë qenë padyshim humbjet e sotme të Arjon Kajoshit dhe Syrjan Marinajt. Të dy ata ishin llogaritur të fitonin por nuk ka ndodhur kështu. Ndeshja e Kajoshit ndaj Beqirit ka qenë e diskutueshme dhë në fund gjyqtaria i ka dhënë fitoren boksierit të Tiranës me rezultatin 2-1. Ndërkohë, Marinaj ka qenë në një ditë të keqe dhe është mundur 0-3 nga Barmeta po i Tiranës. është mundur po ashtu edhe Marjan Vashja në peshën 69 kg si dhe Albert Kapaj në peshën super të rëndë.

Të vetmit nga boksierët e Vllaznisë që kanë fituar, kanë qenë Kristian Shytani dhe Nelson Hysa. Nisur nga këto rezultate, ekipi shkodran ka arritur të nxjerrë pesë finalistë dhe pikërisht Vuksan Gurin në peshën 49 kg, Fabjan Qekaqi në peshën 52 kg, Kristian Shytani në peshën 75 kg, Kristian Demaj në peshën 91 kg dhe Nelson Hysa në peshën +91 kg. Vllaznia duhet pranuar se ka më pak shanse se Tirana tashmë për titullin kampion megjithatë do jenë 2-3 ndeshje që do të përcaktojnë gjithçka. Ekipi që do të shpallë 4 kampionë me shumë të ngjarë do të jetë kampion i Shqipërisë dhe për ta bërë këtë gjë Vllaznia, i duhet që të shpallë kampionë Vuksan Gurin, Kristian Shytanin, Kristian Demën dhe Nelson Hysën. A do të ndodhë kështu? Të presim finalet e nesërme.

© shkodrasport.com