Napoli do të duhet të bëjë pa sulmuesin Victor Osimhen për të paktën një muaj. Nigeriani u rikthye në Castel Volturno ku iu nënshtrua testeve të mëtejshme pas dëmtimit që pësoi në një miqësore kundër Arabisë Saudite.

Rezultatet e analizave nxorën në pah një dëmtim të shkallës së mesme në bicepsin femoral të kofshës së djathtë. Osimhen filloi menjëherë me trajtimin e specializuar në qendrën sportive italiane.

Klima përreth lojtarit nuk është më e qetë. Ky dëmtim i gjatë madje mund ta përkeqësojë situatën.
Rudi Garcia e humbet Osimhenin përpara tri ndeshjeve të rëndësishme kundër Veronës, Union Berlinit dhe Milanit. Presioni ndaj trajnerit do të jetë edhe më i madh pas rezultateve jo fort të mira në javët e fundit.

Osimhen duhet të mungojë edhe në Salernitana dhe Empoli dhe të rikthehet pas pauzës së muajit nëntor. Nigeriani pritet të zëvendësohet nga Simeone në qendër të sulmit.