Në Shqipëri dukej qartë që ishte fenomen: Caleb Ekuban tërhoqi i vetëm Partizanit drejt titullit kampion në sezonin 2016/17, që në fakt nuk erdhi, por nuk ishte faji i tij.

Italo-ganezi shënoi 17 gola dhe Partizani pati në dispozicion sulmuesin më të mirë që ka pasur prej shumë vitesh, por e kishte në huazim nga Chievo dhe natyrisht nuk mund të përfitonte asnjë kacidhe.

Fluturimi i djaloshit që erdhi në Shqipëri për të shpërthyer nuk u ndal më, sepse Chievo ia dha Leedsit në divizionin e dytë anglez për gjysmë milioni sterlina, ndërsa një dëmtim i rëndë ia ndali hovin.

Leeds e huazoi në Turqi, te Trabzonspor, aty ku Ekuban pak nga pak u kthye nga një rezervë luksi në titullar fiks, me 5 gola e 2 asiste në kampionat, edhe pse ka luajtur vetëm 1294 minuta, shumë më pak se sulmuesit e tjerë.

Tani Trabzonspor nuk e lëshon më, sepse ka kuptuar se ka një xhevahir në dorë dhe ka vendosur të shfrytëzojë klauzolën që e lejon ta blejë 25-vjeçarin për rreth 2 milionë sterlina, edhe për faktin se Ekuban ka pasur një rendiment të shkëlqyer dhe janë plotësuar disa klauzola që ia kanë rritur çmimin.