Drejtuesit e klubit Vllaznia duket se kanë filluar të mendojnë për sezonin e ri. Ata po kërkojnë që ta mbyllin me një titull kampion këtë sezon dhe më pas, pa humbur kohë, të fillojnë punën për ndërtimin e skuadrës, e cila do të rikthehet të luajë në Superiore pas një viti mungesë. Gjithçka do të nisë me lojtarët aktualë të klubit, ku do të ketë rinovime dhe njëkohësisht largime.
vllazniaa

Për sa u përket rinovimeve, emrat e shumë shkodranëve duket se do të jenë të parët që do të nënshkruajnë kontratat për të veshur sërish fanellën shkodrane. Ndërkaq, drejtuesit e kanë pak a shumë të qartë se me cilët futbollistë do të nisin diskutimet për t’i mbajtur ose jo. Ka lojtarë që rrezikojnë edhe të largohen.

KUSH RREZIKON Pritet që puna të nisë nga futbollistët jo shkodranë. Mbrojtësi Dan Ignat ka bërë një paraqitje shumë të mirë gjatë kampionatit që po përfundon, por në janar kërkoi me të gjitha mënyrat që të largohet, por nuk u la nga drejtuesit. Pritet që ai të mos jetë më pjesë e Vllaznisë në kampionatin e ardhshëm në Superiore.

Në dyshim janë gjithashtu edhe mbrojtësit e qendrës, Valdo Zeqja e Renato Malota. Po ashtu, kontratat që do të diskutohen dhe ka dyshime nëse do të mbahen sërish apo jo, janë emrat e mesfushorit Dejvi Bilali apo brazilianit Xhunior. Ky i fundit ka kontratë deri në fund të këtij kampionati, ndërsa do të shihet se çfarë do të vendosin drejtuesit për të.

Këta janë ndër emrat e parë që drejtuesit e klubit dhe stafi teknik do të ndërhyjë për të vendosur për të ardhmen e tyre. Një gjë e tillë nuk varet vetëm nga performanca që ata kanë treguar apo edhe nga ajo që kanë paraqitur në sezonin që po mbyllet, por edhe nga projektet që kanë drejtuesit e klubit, me në krye drejtorin sportiv, Engin Firat.

Këta lojtarë mund të mos jenë në planet e drejtuesve të klubit, por gjithsesi ka ende kohë për të vendosur për qëndrimin ose jo të këtyre futbollistëve. Ndërkaq, situata në Shkodër është paksa kaotike. Kjo ka të bëjë me faktin se në fund të qershorit janë parashikuar të zhvillohen zgjedhjet për bashkinë. Klubi Vllaznia është 100% nën administrimin e institucionit vendor.

Dhe një ndryshim për sa i përket kreut të bashkisë mund të sjellë drejtues të rinj dhe politika të reja në lidhje me skuadrën. Kështu që Vllaznia është e varur edhe nga zgjedhjet dhe ngjarjet politike që do të ndodhin në javët në vazhdim në Shqipëri. Skuadra e ka siguruar rikthimin në Superiore, ndërsa tani synon që të fitojë edhe titullin kampion të Kategorisë së Parë./panorama-sport/