Juventus po ndjek me vëmendje Manuel Nojerin. Klubi bardhezi nuk garanton nëse Vojçek Shezni do të jetë portieri nr.1 i kampionëve të Italisë dhe gardiani i Bajern Mynihut u përshtatet karakteristikave të duhura për të qenë një lider te Juventusi.
Blerja e portierit të Shalke 04 Aleksandër Nubelit nga bavarezët do t’i ngushtojë hapësirën në formacionin titullar kampionit të botës me Gjermaninë në vitin 2014.
Duke parë dëmtimet e shpeshta në 3-4 vitet e fundit si hezitimin për të rinovuar kontratën me Bajernin, ndoshta Nojer mund të pranojë në të ardhmen që të ndërrojë fanelë. Lajmi komunikohet nga media prestigjioze “France Football”.
Edhe te kombëtarja e Gjermanisë, Nojer nuk i ka punët mirë pasi është tejkaluar nga Mark-Andre Ter Shtegen i Barcelonës, i cili po kalon disa vite fantastike.