Vinful Kobina ka qenë një nga emrat më të dashur të tifozëve të Tiranës, të cilët panë mesfushorin që t’i ndihmonte të ktheheshin te titulli kampion tre sezone më parë.

Por bashkë me sukseset, atë e kanë shoqëruar edhe problemet që i sillte klubit bardheblu, si ky i fundit që i ka bllokuar merkaton kryesuesve të Superiores.

Klubi Hearts of Oak në Gana, nga ku Tirana transferoi futbollistin në vitin 2018, ka bërë të ditur në faqen zyrtare se FIFA i ka bllokuar merkaton bardhebluve, pasi nuk kanë respektuar një detyrim ndaj ganezëve.

Palët kishin rënë dakord për një përqindje në transferimin e radhës të Kobina kur kishin nënshkruar marrëveshjen për kalimin në radhët e Tiranës. Një marrëveshje që nuk është respektuar nga bardheblutë, duke sjellë edhe masën disiplinore nga FIFA.

“FIFA ka vendosur një ndalim të transferimeve mbi klubin shqiptar KF Tirana pasi nuk ka përmbushur detyrimin për t’i paguar Hearts of Oak përqindjen për transferimin e mesfushorit Vinful Kobina, kur e transferuan në klubin egjiptian Ceramica Cleopatra.

Pavarësisht të gjithë përpjekjeve të Hearts që të bindte Tiranën të përmbushte marrëveshjen, ata refuzuan, ndaj erdhi edhe vendimi ynë për të raportuar sjelljen e tyre në Komisionin e Statusit të Lojtarëve në FIFA. Si rrjedhojë, KF Tirana u udhëzua që të paguante detyrimin ndaj Hearts of Oak brenda 45 ditëve. Kjo periudhë skadoi të premten, më 12 shkurt 2022.

Meqë dështoi në përmbushjen e vendimit të FIFA-s mbi çështjen, qeveria e futbollit botëror ka vendosur në këtë klub ndalimin e transferimeve të reja. Për më tepër, Federatës Shqiptare të Futbollit i është kërkuar që të respektojë direktivën.

Pezullimi do të mbetet në fuqi derisa Tirana të shlyejë detyrimet financiare ndaj Hearts of Oak”, shkruhet në njoftimin e klubit ganez që zyrtarizoi dënimin e bardhebluve.